menu

Edhe pse kishte premtuar se do të vinte me një baladë, Anxhelo Koci vjen ritmik me “Ti Amo”


Ora: 10:22 Datë: 08/06/2019

Në një intervistë të dhënë në muajin prill të këtij viti, Anxhelo premtoi se do të vinte shumë shpejt me një baladë por artisti ka vendosur të vijë me një stil tepër ritmik, duke iu përshtatur më së miri temperaturave të kësaj vere.

“Ti Amo” mban titullin prurja më e re e Anxhelos, e cila ka rezultuar tepër e pëlqyer që në momentet e para të publikimit dhe këtë e vërteton më së miri futja në klasifikimin e “Top Awards”. Sugjerimet e fansave, të cilët nuk janë vetëm shqiptarë, kanë bërë që ky projekt muzikor të renditet në vendin e 75-të.

I kontaktuar nga “Top Awards”, Anxhelo ka zbuluar më shumë për “Ti Amo” dhe planet e kësaj vere.

TA: Pse vendosët ta titullonit këngën “Ti Amo”? Keni shumë fansa që ju dëgjojnë nga Italia?

Anxhelo: Të them të drejtën unë jam një nga ato artistë që më pëlqen të eksperimentoj me këngët e mia por fakti që kam fansa edhe jashtë vendit që më ndjekin vazhdimisht, më bën që dashurinë ta shpreh në gjuhë të ndryshme.

TA: Për cfarë flet kjo këngë?

Anxhelo: Si cdo këngë e imja edhe “Ti Amo” është një nga ato këngë ku unë i këndoj dhe ia dedikoj dashurisë dhe normalisht tekstin jam munduar ta sjell pak më të thjesht edhe për publikun pasi edhe kënga është verore dhe komerciale.

TA: A është kjo këngë një dedikim, duke qënë se teksti është shkruar nga ju?

Anxhelo: (Qesh) Sic e përmenda dhe më lart, kjo këngë i është dedikuar dashurisë në përgjithësi dhe nuk personifikon askënd, në mënyrë që të gjithë njerëzit të gjejnë veten tek kjo këngë.

TA: Keni ardhur tepër ritmik, ky është projekti i vetëm për këtë verë?

Anxhelo: Absolutisht jo, pasi priten edhe dy projekte të reja të cilat do të publikohen këtë verë dhe sigurisht njëra ndër to do të jetë bashkepunim surprizë.

TA: Në një intervistë të dhënë për “Ftese ne 5” keni deklaruar se do vini me një baladë, kur do të publikohet ajo?

Anxhelo: Po, e vërtetë kjo baladë do të publikohet në përfundim të verës pasi mendoj se do të jetë projekti i duhur, në kohën e duhur.

TA: Cilat janë planet e kësaj vere?

Anxhelo: Së pari, koncertet sigurisht brenda dhe jashtë vendit sepse këtë verë do të jem shumë aktiv dhe pse jo kush do t’i refuzonte edhe disa pushime verore (qesh).