menu

Dojna dhe Vlashenti tregojnë gjithçka për “Copëzat”, që nga ideja e këngës deri tek rrëzimi i Dojnës gjatë klipit


Ora: 10:25 Datë: 15/06/2019

“Copëzat” është një nga publikimet më të veçanta muzikore të bëra së fundmi dhe autor i këtij projekti është Vlashent Sata. Përveç një teksti dhe melodie të mrekullueshme, është Dojna Mema ajo që ka kompletuar këtë prodhim muzikor, falë ëmbëlsisë dhe freskisë së saj. Dojna, një nga prezantueset më të ëmbla të ekranit shqiptar, ka shpjeguar për “Top Awards” se si i erdhi ftesa për këtë projekt por edhe detaje të tjera rreth xhirimit të klipit. Për të gjithë atë që nuk e njohin Dojnën jashtë ekranit, ajo karakterizohet edhe nga një sens i madh humori dhe këtë e ka treguar më së miri edhe në intervistë e dhënë më poshtë. Sigurisht rrëfimit të Dojnës nuk i ka munguar edhe gjyshja, e cila është një ndër gjyshet më të njohura në Instagram për momentin.

Nga ana tjetër, artisti i talentuar, Vlashent Sata, ka treguar si u krijua “Copëzat”, pse zgjodhi Dojnën dhe shumë detaje të tjera sa i përket kësaj këngë, e cila është futur menjëherë në klasifikimin e “The Top List”, duke u renditur në vendin e 18-të.

Top Awards: Si erdhi ftesa për të marrë pjesë në videoklipin “Copëzat”?

Dojna: Më kontaktoi Vlashenti dhe më tregoi këngën “demo”. Ishte ndër ato rastet që thua: “Po, kjo është dashuri me dëgjim të parë”. Kur më tregoi se do të dëshironte të isha protagoniste e klipit të tij, mendova: “Shpresoj të jem e para që ia ka kërkuar”. Të ishe pjesë e klipit kishte një kusht: Të shfaqeshe pa grim, kështu që kam përshtypjen se shumë vajza të tjera i kanë thënë “JO” të prerë që më zgjodhi mua (qesh)

TA: Pranove direkt apo bërë të vështirën? (Qesh)

Dojna: Pranova aq direkt sa më pas u pendova që nuk bëra të vështirën. Kështu do të kisha kuptuar nëse isha vetëm unë apo kishte opsione të tjera. Përtej kësaj, për mua ishte një sfide e re, e cila më bëri të kuptoj se ka shumë dimensione të tjera veç Dojnës së ekranit të vogël.

TA: Duke qënë se gjyshja e Dojnës është shndërruar në gjyshën më të përfolur në Instagram, donim të dinim nëse e pyete para se të merrje vendimin? Cili ishte reagimi i saj?

Dojna: Nuk e pyeta sepse vizioni që ka gjyshja për mua është komplet ndryshe nga ai që unë përfaqësoj në media. Ajo dëshironte që të merresha me politikë dhe mendoj se një videoklip artistik nuk ka asgjë të përbashkët me një klip fushate politike. Megjithatë kur e pa, tha konkretisht: “Po të isha çupe e re, do kisha rënë në dashuri me këtë djalin”. Kaq! Për mua asnjë gjysme fjalë nuk komentoi. (Qesh)

TA: Na trego pak per klipin. Sa kohë zgjatën xhirimet? Pati ndonjë incident?

Dojna: Xhirimet janë zhvilluar në Tiranë, pavarësisht se të gjithë kanë menduar se kemi regjistruar në Paris. Ishin tre dite intensive që kaluan me shumë të qeshura dhe ushqime fast food. (buzëqesh)… I vetmi incident që mund të kujtoj lidhet me një pjesë të xhirimeve ku unë kërcej tek dritarja sipër një divani të vjetër, i cili nuk kishte shumë ekuilibër. U rrëzova por nuk e dhashë veten. Bëra si këto aktoret e Hollywood, që rrëzohen në tapet të kuq por ngrihen dhe rregullojnë buzëkuqin sikur asgjë mos të kishte ndodhur. Vlashenti ka qënë i pranishëm në xhirime dhe më ka bërë gjatë gjithë kohës të qesh, aq sa një moment i kërkova Drejtorit të Fotografisë ta largonte sepse nuk mundesha më të qëndroja serioze.

TA: Sa kohë ka që është punuar ky projekt muzikor?

Vlashent: Kënga është kompozuar një të diele në fund të janarit dhe gjithcka erdhi shumë natyrshëm. Fillimisht melodia dhe më pas fjalët, thjesht rrodhen. Ka qënë një ndër projektet muzikore më organike që kam shkruar. Më pas u xhirua videoklipi në tre ditë dhe ishte finalizimi i një rrugëtimi po aq të sinqertë sa vetë kënga.

TA: A është kjo këngë dedikim për dikë pasi duket një tekst mjaft i ndjerë? Nëse po, a kishte vajza në fjalë ngjashmëri me Dojnën?

Vlashent: Eshtë një nga këngët më të ndjera dhe sigurisht që i ka historinë e saj por e bukura e një kënge është kur bëhet e gjithësecilit dhe gjithëkush e lexon me sytë e tij. Sigurisht Dojna dhe copëzat e saj e mishëruan tekstin e muzikën ashtu sic nuk mund ta imagjinoja. Cdo gjë përputhej në detaj dhe mendoj se Dojna i dha magjinë këngës ashtu sic bën me gjithcka merr përsipër të bëjë.

TA: Kur dhe si të lindi ideja për të përzgjedhur pikërisht Dojnën?

Vlashent: Pasi e njoha Dojnën, s’mund të them se nuk më tërhoqi portreti i saj, i cili ishte shumë kinematografik por ajo që më nxiti t’ja propozoj ishte natyrshmeria e saj dhe mungesa e komplekseve. Janë pikerisht gjithcka vajzat nuk tregojnë ose mundohen të fshehin që i bëjnë aq të bukura. Mendoj se ka shumë presion mbi grate dhe vajzat, ndaj sipas meje arti në Shqipëri mund të ndihmojë t’i hedhë poshtë disa tabu apo klishe të së bukurës.

TA: Mendon që me pjesëmarrjen e Dojnës kënga ka marrë vëmendje më të madhe sec do merrte me një personazh tjetër?

Vlashent: Jam i lumtur që kënga dhe Dojna e kanë përfaqësuar tërësisht idenë se çfare doja të transmetoja në publik! I jam shumë mirënjohës Dojnës që e ka veshur muzikën me ndjeshmërinë dhe “Copëzat” e veta!