menu

Deri më tani vetëm “Lejla” është kënga më e vjetër, ja kush po i afrohet 100 javëve në klasifikim


19:00 30/11/2018

“Lejla” vazhdon të mbajë rekordin si kënga më e vjetër në klasifikimin e “Top Awards”. Këtë javë, bashkëpunimi i suksesshëm i Elvana Gjatës, Capital T dhe 2po2, shënon 110 javë në listën zyrtare të “Top Awards”, duke përballuar çdo konkurrencë të projekteve të shumta që janë futur në listë për këto 110 javë.

E publikuar në tetorin e vitit 2016-të, “Lejla” vazhdon ende të dëgjohet dhe votohet pafund nga fansat e treshes së talentuar, duke lënë kështu të nënkuptohet se tre artistët kanë goditur në shenjë me këtë prurje muzikore, e cila nuk i është mërzitur aspak publikut shqiptar.

Po kush janë këngët që po i afrohen 100 javëve klasifikim?

Ndërkohë që Kida ka publikuar projekte të shumta muzikore kohët e fundit, duket se më e preferuara e publikut shqiptar mbetet “Anderr”. Kjo këngë, e publikuar marsin e vitit 2017-të, është pjesë e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare për 90 javë në total. Pavarësisht se ka kaluar më shumë se një vit që është publikuar, ajo vazhdon të renditet në pozicione mjaft të rëndësishme dhe për këtë javë qëndon në vendin e 22-të. Duket se fansat janë të vendosur që falë votave të tyre ta shndërrojnë “Anderr” në një prej këngëve më të vjetra të klasifikimit.

“1000 Premtime”, bashkëpunimi i Alban Skënderaj dhe Dalool, është një tjetër këngë që po i afrohet 100 javëve klasifikim. E vlerësuar së tepërmi për tekstin, muzikën dhe klipin, kjo këngë ende dëgjohet me shumë interes nga publiku shqiptar, votat e të cilit e kanë mbajtur në listë për 87 javë rresht. Nëse kjo këngë do arrijë të kapë 100 javë klasifikim, kjo mbetet në dorë të fansave të dyshes së talentuar.