Këtë javë ashtu siç e keni mësuar nga klasifikimi i “The Top list” ditën e shtunë, kreu ka ngatërruar. Tani është “Dale” nga Butrint Imeri, Kida dhe Ledri Vula, projekti që ka rrëmbyer fronin e “Top Awards”, të paktën për këtë javë. Mesa duket, ky projekt ka rezultuar të jetë një nga bashkëpunimet më të suksesshme për këtë sezon.

Megjithatë duket sikur dy këngë janë në “luftë të ftohtë” me njëra-tjetrën. Bëhet fjalë për “E di” nga Elvana Gjata dhe Yll Limani dhe “Dale”. Të dyja këto këngë kanë kryesuar më shumë “The Top List” këtë verë, me përkatësisht 3 javë në vend të parë secila. Por edhe pse “E di” nuk arriti të mbante kreun këtë javë, nuk është pozicionuar shumë poshtë në renditje, duke qenë kështu në vend të dytë.

Duket se kjo “luftë” nuk ka ndërmend të ndalojë sepse publiku vazhdon që t’i votojë dhe t’i ketë si më të preferuarat e këtij sezoni veror. Një gjë është e sigurtë, “Dale” do të shoqërojë edhe këtë javë, mbase edhe për disa të tjera që do vijnë, ndërkohë që presim se çfarë surprizash na ka rezervuar e shtuna që vjen.