Klint Çollaku, një nga artistët e talentuar të “Top Awards”, ka qenë i ftuar së fundmi në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio. Momentalisht ai është ende duke shijuar suksesin e këngës së tij “Jam”. Klinti ka treguar më shumë mbi këtë projekt të tijin por edhe për planet e tij të ardhshme në muzikë.

Çfarë të bëri që të sillje një version ndryshe të të kënduarit, apo si çdo artist doje edhe ti të eksperimentoje me një zhaner ndryshe?

Pas shumë kohësh që kam nxjerrë balada të ndryshme dhe kam lëvruar pothuajse në këtë lloj rryme, mendova me veten time që erdhi një moment, që edhe në kompozimet që unë bëja, ndryshova dhe mënyrën e kompozimit se kështu më erdhi edhe mendoja që do ishte një mënyrë e re për ta prezantuar Klintin edhe në një dimension tjetër që publiku ndoshta nuk e njeh dhe mendon që unë nuk e kam. Por me të vërtetë unë e kam edhe këtë gjë brenda vetes time.

Si e ndjeve veten tek një këngë ritmike? A mendon që të rri mirë?

Po, me thënë të drejten, sepse unë gjithmonë kam pasur këtë ide që, çdo këngë që do bëj do ketë një mesazh dhe kjo këngë pavarësisht se është ritmike, nuk mendoj se është thjesht një këngë kalimtare, por ka një mesazh motivues që thotë: “Jam thy shumë herë, jam ngrit përherë”.

Cila ka qënë muza jote? Çfarë të ka shtyrë që të bëje një këngë e cila do të të sillte ty në një version ndryshe si artist?

Unë mendoj që një artist ose duhet të jetë shumë i lumtur që të krijojë, ose duhet të jetë shumë i mërzitur.

Kur i bën krijimet më të bukura?

Krijimet më të bukura dhe që i dëgjoj megjithë qejf janë ato që i bëj kur jam i lumtur dhe më kujtohen momente kur kam qënë vërtet shumë i lumtur. Por që në rastin e “Jam” unë e lidh pak me pjesën që jam një artist që në moshën 17-vjeçare mori pjesë tek “The Voice” edhe fitoi. I erdhi një famë e papritur është shumë e vështirë ndonjëherë ta menaxhosh, ke shumë pengesa gjatë rrugës si njerëz që edhe duan të ta presin rrugën, t’I mbyllin duart kur ti shkon dhe ju troket në derë. Kështu që, patjetër që kënga thotë: “Jam thy shumë herë, jam ngrit përherë”, sepse ja ku jam këtu po flas për këngën time.

A mendon që tregu shqiptar i thyen artistët? Si e shikon tregun shqiptar dhe famën si koncept?

Nuk është treg i favorshëm sepse nuk favorizohet çdo lloj stili i muzikës. Unë kam vënë re kohët e fundit se është vetëm një stil muzike që po dominon që është hip hop-i, rep-i.

Cila ka qënë ajo këngë e cila ndoshta të është gjykuar nga ata që e kanë dëgjuar si demo?

Mbaj mend që pasi mora pjesë tek një kompeticion tek kënga magjike, bëra një këngë që  e kisha kompozuar vetë e cila titullohet “Kush të do?” dhe kur jam konsultuar më kanë thënë që është baladë, por unë kam bërë atë që kam ndjerë gjithmonë. Rezultoi se është një këngë që njerëzit e kanë pëlqyer shumë.

Cili do të ishte bashkëpunimi yt i ëndrrave?

Do të ishte një bashkëpunim me Ed Sheeran. Krijimtarinë e ka shumë të bukur dhe do të më pëlqente shumë.

Ku e shikon diferencën e live-t me playback-un?

Mesa di unë ata paguhen më shumë sesa ne, nuk e di se pse. Gjithsesi, mua më pëlqen shumë live dhe gjatë gjithë jetës do të kisha dëshirë të performoja live në skena të mëdha. Live e bën artistin.

Do të jesh prap tek pika jote e fortë baladat apo do të eksperimentosh me rrymën tjetër siç ishte ritmikja?

Di të them që kam shumë dëshirë të eksperimentoj por duhet bërë me shumë siguri dhe me shumë studim. Merr shumë kohë përgatitja e një kënge dhe mbas shumë muajsh publikohet.

Pika jote më e fortë si artist, që ndoshta ta kanë shprehur edhe njerëzit e tu më të afërt dhe kritikët e tu më të mëdhenj?

Një nga gjërat që më kanë bërë gjithmonë kompliment ka qënë siguria që kam në skenë. Kur jam në skenë i harroj të gjitha, këtë ma thonë të gjithë. Kur del në skenë merr një tjetër pamje.

Momentalisht kënga “Jam” renditet në vend të 84-të të “The Top List” dhe ka 10 javë që qëndron si pjesë e klasifikimit.