Pas një dekade të suksesshme, Capital T është gati të nisë një tjetër dekadë, e cila gjithashtu pritet të jetë e mbushur me punë dhe arritje të mëdha.

Këngëtari i dashur i publikut shqiptar ka vetëm pak ditë që ka bërë publik projektin e tij më të ri muzikor, dedikuar Mercedesit. “600PS” mban titullin kjo prurje e re muzikore, e cila është kënga e parë e albumit “Skulpture”.

Kjo këngë, e cila ka ardhur e shoqëruar me një video muzikore, është prodhuar nga Jumpa ndërsa teksti është punuar nga vetë Capital T. Sa i përket masterizimit, ai është bërë nga Lex Barkey ndërsa videoklipi mban vulën e “Sekuence”.

“600PS” ka rezultuar mjaft e pëlqyer për publikun shqiptar dhe këtë e vërteton më së miri renditja e saj në klasifikimin e “Top Awards”, duke zënë vendin e 5-të, që në javën e parë të hyrjes në listë.

Ndërkohë që pritet publikimi i këngëve të tjera nga ky album, Capital T ka vetëm pak ditë që ka publikuar linjën e re të veshjeve, “Collection Time Capsule”.