Bloody është një tjetër reper, i cili i është shtuar zhanrit të hip-hopit në Shqipëri. Me origjinë nga Tetova, këngëtari ka vetëm pak ditë që ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor të titulluar “Nutella”, i cili është bërë pjesë e “The Top List” këtë javë.

Në një intervistë të dhënë për “Pop Culture”, Bloody, emri i vërtetë i të cilit është Bledi Beqiri, ka folur për projektin e tij muzikor si dhe për planet që ka në të ardhmen.

Bloody ka shpjeguar se ka zgjedhur titullin “Nutella” pasi është një miks cokollatash dhe ai i referohet femërs së tij duke i thënë se është e ëmbël si nutella. I pyetur nëse ka ndonjë “Nutella” në jetën e tij, reperi e ka mohuar në mënyrë kategorike.

Për tekstin dhe muzikën e “Nutella” është kujdesur vetë reperi ndërsa sa i përket videoklipit të këngës, Bloody zbulon se ai është xhiruar në Gjilan dhe është punuar nga dy vëllezër shumë të talentuar të “Urban Graphics”, duke realizuar atë çfarë vetë artisti ka dëshiruar.

I pyetur për planet e tij në të ardhmen, ai ka zbuluar se po përgatitet që shumë shpejt të publikojë një bashkëpunim me një këngëtare të muzikës popullore, e quajtur Duli, e cila këndon jashtë stilit të Bloody.

Në intervistën e tij, këngëtari ka zbuluar se gjatë verës ai ka preferuar të mos performojë nëpër klube nate, duke ju dedikuar punës për projekte të reja muzikore.

Bloody ka përfunduar intervistën i tij me një premtim duke thënë se nëse ai nuk arrin kulmin e suksesit brenda dy vitesh, do të heqë përfundimisht dorë nga muzika.