Burim Kursani, apo siç njihet ndryshe me emrin e artit si BimBimma, ka lindur më 23 Mars 1983 në Prishtinë. Interesi i tij ndaj Hip-Hop-it u shfaq që kur ishte në moshën 14-vjeçare, në vitin 1997. I ndikuar edhe nga rrethanat e jetesës, në tekstet e këngëve të tij gjenden pjesë nga realiteti i jetës në Kosovë.

BimBimma filloi të njihej më së shumti rreth vitit 2000 për shkak të bashkëpunimeve me artistë të kohës të skenës së Hip-Hop-it. Por suksesin e vërtetë e arriti si pjesë e grupit që ndryshoi përgjithmonë rrjedhat e Hip-Hop dhe kulturës në Kosovë, grupi “NR”. Pas ndarjes me grupin, BimBimma vazhdon të japë kontributin e tij duke marr pjesë nëpër festivale lokale dhe ndërkombëtare, duke u angazhuar me projekte që kan të bejnë me Hip Hop dhe duke bashkëpunuar me artistë vendas dhe të huaj.

Një ndër personat me të cilët ka bashkëpunuar dhe përfaqësuar Kosovën në aktivitetet e ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare është Dj Flow. Performanca e parë e BimBimma dhe DJ Flow ka qenë në qershor të vitit 2009 ne Berlin, Gjermani, si pjesë e projektit “Hotel Prishtina”, projekt i cili promovonte kulturën kosovare ne Gjermani. Gjithashtu ai ka marrë pjesë dhe në projekte të tjera në Holandë, si “Piece for Peace”.

Së fundmi BimBimma ka ardhur në bashkëpunim me Shpat Dedën në projektin e tyre muzikor “N’dikon ndikon”, që është bërë pjesë e “The Top List” këtë javë. Kjo këngë renditet në vend të 5-të të klasifikimit.