Sipas një analize të bërë në gjithë klasifikimin e “Top Awards” të këtyre 5 viteve, është vënë re se bashkëpunimet më të shumta muzikore po ndodhin pikërisht kohët e fundit.

Kemi patur bashkëpunime mes artistësh që kanë qënë armiq të betuar por edhe bashkëpunime nga ata artistë që nuk dëshironin që talentin e tyre ta ndanin me të tjerët.

Cilat janë arsyet që artistët kanë vendosur të bëjnë kaq shumë bashkëpunime së fundmi?

Në fakt ka disa arsye se pse bashkëpunimet janë shtuar kaq shumë.

1. Së pari muzika hip hop është padiskutim një ndër zhanret muzikore më të preferuara dhe kjo lloj muzike i pranon më së miri bashkëpunimet, duke e bërë nëj projekt muzikor edhe më të suksesshëm. Bashkëpunime të tilla në listën tonë janë të shumta por përmendim, Ledri Vula x Capital T, Stresi x Getinjo etj. 

2. Producentet muzikore tashmë nuk shihen thjesht si ata persona që krijojnë muzikën por thuajse në të gjitha këngët ata preferojnë të shfaqen në bashkëpunim si psh Cricket ft. Yll Limani, Dj Boocky ft. Art Abazi edhe shumë të tjerë.

3. Një tjetër arsye shumë e rëndësishme është kanali i Youtube. Eshtë mëse i qartë se një bashkëpunim ka audiencë shumë më të madhe sesa një këngë “solo” dhe në kohën kur klikimet kthehen në vlera monetare është më se e arsyshme fakti se pse artisët zgjedhin bashkëpunimet.

Në klasifikimin e kësaj javë gjenden në total 33 bashkëpunime muzikore. Pavarësisht faktit se bashkëpunimet nuk ia kalojnë në numër këngëve “solo”, me bindje mund të themi që kjo është një ndër javët me bashkëpunimet më të shumta muzikore.