Vetëm pak ditë më parë në ekranin e Top Channel u transmetua një dokumentar në lidhje me masakrën mjedisore që po i bëhet parkut kombëtar të Valbonës. Në “Top Story” u transmetuan raportime të dokumentuara për dëmin që po i bëhet zemrës blu të Alpeve Shqiptare.

Kompania, e cila po ndërton dy hidrocentrale në Valbonë, është denoncuar nga banorët të cilët tregojnë se kjo kompani ka mashtruar duke pretenduar se ka marrë firmat e banorëve për aprovimin e këtij plani por në fakt disa persona nuk jetonin në kohën kur janë marrë firmat.

Lidhur me këtë masakër që po i bëhen lumenjve të Shqipërisë kanë reaguar edhe disa artistë të njohur, të cilët me fuqinë e muzikës së tyre dëshirojnë të ngrejnë vetëdijen.

Disa emra të njohur të muzikës shqiptarë janë bashkuar dhe kanë publikuar projektin muzikor, ” Lum Lumi i Lirë”, i cili është futur menjëherë në klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Kënga e gjelbër “Lum Lumi i Lirë” përpiqet të kontribuojë pro kauzave në mbrojtje të lumit Valbonë dhe lumit të fundit të egër në Europë, Vjosës.
Muzikantë, producentë, muzikologë, historianë e artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë: Elina Duni, Eda Zari, Vlashent Sata, Shpat Deda, Linda Rukaj, Rhani Krija, Emiljano Dhimo,, Gert Kapo, Henning Jung, Kleidi Eski, Sokol Çunga, Mikaela Minga, të gjithë së bashku, bashkëpunuan për të realizuar këngën dhe videon “Lum Lumi i Lirë“. Kjo këngë (një nismë e dyshes Duni – Zari) lindi si nevojë për përhapjen e informacionit mbi padrejtësitë sistematike që po u bëhen lumenjve, natyrës, si dhe për të mbështetur zërin protestues të banorëve pranë zonave të këtyre lumenjve.

Njëkohësisht, kënga vlen për të fuqizuar ndërgjegjësimin e çështjes në mbarë shoqërinë tonë.
Muzika është e gjithëpranishme dhe gjithëpërfshirëse në jetën tonë. Ajo stimulon kënaqësi në tru dhe në gjendjen emocionale. Sidomos kënga është përherë e pranishme në të përditshmen e gjithkujt. Muzika, kënga, nuk është vetëm medium argëtues apo element që na mbledh për t’u dëfryer. Kënga është një mjet i shkëlqyeshëm efektiv, përmes të cilit transmetohet informacioni mbi çështjet e natyrës dhe ç’po ndodh me të, mbi jetën apo problemet sociale.

A mund ta ndryshojmë botën me një këngë? Jo, por një këngë ndryshon botëzën dhe perceptimin e secilit prej nesh!
Një këngë solidarizon, frymëzon, shpëton, fal shpresë. Shqetësimet dhe vullneti për të krijuar një këngë-protestë rrjedhin nga niveli i vetëdijesimit për atë të keqe të pakthyeshme që po ndodh në Valbone, në Vjosë, apo ajo që po ndodh me ujin, ajrin, natyrën, tokën shqiptare, por edhe për natyrën e gjithë botës. Kjo këngë jep “ZA” për shërim, i piskat publikut, për t’i lënë secilit thellë një jehonë vetëdijeje.

Tek “Lum Lumi i Lirë” artistët me vetëdije morën nismën jo vetëm për të prodhuar muzikë, jo vetëm për t’i mëshuar thirrjes: “S’duam tuba, s’duam diga, s’duam pengesa edhe prita, duam çdo njeri i mirë të thërrasë: Lum Lumi i Lirë!”, por krijuan një këngë që ka një qëllim edhe më të epërm: Ku ka lumenj, ka gjithmonë arsye për të ndërtuar ura mbi të cilat ecim dhe përqafojmë hallet e njëri–tjetrit. Është një përpjekje për të bashkuar dhe solidarizuar aktivistët, shoqatat, si ato pro Valbonës dhe Vjosës, por edhe cilindo individ që punon e shqetësohet për ekzistencën dhe vlerat e shoqërisë sonë.

Nga ana tjetër, kënga dëshiron të shpërndajë mesazhin se nuk ka natyrë, lumë, ajër, tokë që të trajtohet si një i nënës e një i njerkës. Në mënyrë të pa partishme dhe vetëm duke bërë përpjekje të përqendruara, por të bashkuar, mund të mposhten vendimmarrësit e gabuar dhe planet e tyre fatkeqe. A do të mundemi të ndërgjegjësohemi për një të vërtetë të madhe se, as në një të ardhme të afërt, por as të largët, kurrë, s’ka për të pasur një Shqipëri të dytë me këtë natyrë si kjo që kemi? Prandaj ejani ta mbrojmë. Ky është apeli i artistëve si vullnetarë, qytetarë, kolegë, bashkëkombës, mbi të gjitha si NJERËZ.