Këtë javë kemi vendosur t’i kushtojmë vëmedje të vecante artisteve femra, të cilat falë suksesit të tyre kanë mundur të qëndrojnë në klasifikimin e “Top Aëards” për shumë javë, duke mposhtur konkurrencën e hyrjeve të reja.

“Drunk” e Kidës është një ndër këngët që ende vazhdon të votohet nga publiku shqiptar, edhe pse ka 20 javë që gjendet në listë. Pavarësisht se është një artiste që nuk konsumon alkool, Kida ka ardhur “e dehur” në këtë prurje muzikore, nisur kjo nga titulli që artistja i ka vendosur këngës.

Elvana Gjata ka vendosur të surprizojë publikun, pikërisht në ditën e saj të lindjes, duke prezantuar “Thirr”. E kthyer tashmë në një traditë, këngëtarja pëlqen që në ditën e lindjes së saj të lërë gjurmë, kujtojmë që në shkurtin e vitit 2018-të, ajo publikoi minilabumin “3”. “Thirr” shënon 13 javë në klasifikim.

“Zili Zili” e Dafina Zeqirit është shndërruar në një ndër këngët më të komentuara dhe një ndër shkaqet është Tayna. Në media është aluduar se miqësia mes Dafina Zeqirit dhe Tayna është prishur dhe “Zili Zili” është pikërisht kënga Duffy ia ka dedikuar “rivales” së saj. Pavarësisht gjithë “historisë” që mund të fshihet pas kësaj këngë, “Zili Zili” vijon të votohet për 27 javë rresht në klasifikimin e “Top Awards”.

Gjatë një viti pandemik, ku muzika ka qënë totalisht në krizë, Dhurata Dora nuk pushoi së bëri muzikë të bukur, duke qëndruar sa më pranë fansave të saj në këtë periudhë mjaft delikat. “Harrom” ishte një ndër publikomet e artistes në dhjetorin e vitit 2020-të, i cili rezultoi tepër i pëlqyer dhe këtë e vërteton më së miri fakti se kjo këngë vazhdon të dëgjohet dhe votohet nga publiku për 19 javë.

Shumë e ëmbël ka ardhur në projektet më të fundit muzikore artistja, Venera Lumani, këngët e së cilës kanë rezultuara mjaft të pëlqyera nga publiku shqiptar. Pas dy bashkëpunimeve me partnerin e saj, Lind Islamin, Venera Lumani ka zgjedhur të vijë me një projekt “solo”, në të cilin ka ardhur gjithashtu mjaft romantike. “Pak nga Pak” është bërë pjesë e listës rreth 26 javë më parë dhe ende vazhdon të dëgjohet nga publiku.

Si një artiste që identifikohet me baladat, sigurisht që Fifi nuk ka zhgënjyer me “Ninulle dashurie”, e cila përcjell një emocion të vërtetë. Ky projekt muzikor gjendet në klasifikim për 23 javë rresht.

“Xhani” e Diona Fonës është një tjetër këngë që gjendet në klasifikim për një kohë të gjatë. Kjo këngë, e cila ka mundur gjithashtu të rrëmbejë edhe kreun e “The Top List”, këtë javë shënon plot 28 javë në klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Një ndër këngët më të komentuara të vitit që lamë pas ka qënë bashkëpunimi i Morena Tarakut dhe Stresit, “Bad Girl”, e cila menjëherë është bërë pjesë e klasifikimit të “Top Awards”. Ashtu siç edhe kishin premtuar, dy artistët kanë sjellë një projekt mjaft ritmik, të cilit nuk i reziston dot tundimit për ta kërcyer kudo që ndodhesh. “Bad Girl” gjendet në “The Top List” për 31 javë rresht.

Kleoniki është një ndër personazhet mjaft të komentuar në rrjetet sociale. Dhjetorin e vitit të kaluar ajo publikoi “Purified”, për të cilën vetë ajo shprehet se është kënga e saj e parë që e përfaqëson ashtu sic duhet.

Beatrix Ramosaj është një artiste që rrallë publikon muzikë të re por duhet thënë që projektet e saj gjithmonë rezultojnë mjaft të pëlqyera nga publiku. “Dancing With The Devil” është kënga, e cila e ka rikthyer mjaft fuqishëm këngëtaren pas një pauze muzikore 2-vjecare. Beatrix vijon të votohet nga publiku edhe pse ka plot 18 javë rresht në listë.