Shumë artistë të njohur kanë preferuar që muzikën dhe artin e tyre ta promovojnë nëpër festivale të ndryshme muzikore por së fundmi kjo traditë duket se ka ndryshuar.

Disa prej artistëve, të cilët i kanë qëndruar gjithmonë besnikë konkurseve muzikore, së fundmi kanë vendosur që ta promovojnë artin e tyre përmes videoklipeve muzikore.

Nuk dihet në fakt se cili është shkaku që shumë artistë janë tërhequr nga pjesëmarrja nëpër festivale por për një gjë jemi të sigurt pas cdo festivali, një zhurmë e madhe krijohet për shkak të pakënaqësive dhe “pazarave” që bëhet brenda tij.

Redon Makashi është një artist që nuk preferon më të jetë pjesë e festivaleve, duke përzgjedhur kështu të prezantojë muzikën e tij përmes videoklipeve dhe përmendim këtu këngën “Me mohove”, e cila u prit mjaft mirë nga publiku shqiptar.

Mariza Ikonomi është një tjetër artiste, e cila identifikohet me festivalet por edhe artistja vendosur që për pak kohë të shkëputet nga pjesëmarrja e tyre, duke promovuar këngën e saj më të re, “Dua të Jetoj”, të shoqëruar me një klip muzikor.

Eugent Bushpepa është shprehur në një intervistë të dhënë për “Top Awards” që pjesëmarrja nëpër festivale i është shndërruar në një fobi kështu që artisti ka vendosur që të prodhojë muzikë pa patur atë frikën e krahasimit me kolegët e tij.

Alban Skënderaj prej vitesh nuk e shohim më pjesë të festivaleve muzikore edhe pse karriera e tij lindi pikërisht aty. Ai ka përzgjedhur që artin e tij ta prezantojë përmes klipeve muzikore.

Yll Limani ka qënë gjithashtu një pjesëmarrës i festivaleve por tani ka zgjedhur që të jetë pranë fansave me projektet muzikore, duke u shndërruar në një ndër artistët më të preferuar të momentit.