Alban Skënderaj është një artist, i cili gjithmonë qëndron pranë fansave të tij, duke iu dhuruar pafund muzikë. Pavarësisht se njihet si djali i baladave, këngëtari i njohur ka lundruar edhe në rryma të tjera muzikore, paksa më ritmike, me anë të të cilave ka rezultuar gjithashtu tepër i suksesshëm.

Albani nuk ka munguar as në këtë muaj, me këngët e tij romantike, duke iu përshtatur më së miri festës të të dashuruarve. “Jetë” mban titullin prurja më e re e Albanit, e cila në dukje të krijon ndjesinë e vazhdimësisë së projektit “Nëntor, 26”, e publikuar rreth 11 javë më parë. Këto dy projekte të fundit muzikore, artisti ka vendosur të mos i shoqërojë me videoklip, duke përcjellë kështu emocionet e plota.

“Këngë që të fut thellë në mendime”, shkruan një nga fansat sa i përket këngës “Jetë”.

Duket se shumë fansa e kanë gjetur veten në tekstin e kësaj kënge, të cilën Albani ka vite që e ka punuar si këngë por që ka vendosur ta publikojë pikërisht tani.

Në një postim të bërë në llogarinë e tij të “Instagramit”, Albani shprehet se ka disa këngë, të cilat i ka shkruar ndër vite por që brenda vitit shpreson t’i publikojë. Albani shton gjithashtu se “Jetë” ka një domethënie të veçantë për të.

Nëse do dëgjojmë me kujdes “Nentor, 26″ dhe ” Jetë”, fansat besnikë të Albanit, me siguri mendojnë se këngëtari është rikthyer pas në kohë, në Albanin e “Top Fest-it”, rreth 14 vite më parë . Të gjithë kujtojmë këngën “Vetëm ty” me të cilën artisti korri një sukses të jashtëzakonshëm, duke u shpallur fituesi i edicionit të dytë të atij festivali dhe duke u bërë i njohur për të gjithë shqiptarët.

Mesa duket publikut i ka munguar “Albani i dikurshëm” dhe këtë e tregon më së miri prania e këtyre këngëve në klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.