Alban Ramosaj ka kënaqur fansat duke publikuar projektin e tij më të ri muzikor, të titulluar “Ike”. Një këngë me emocion, që sigurisht i dedikohet një personi të veçantë në jetën e artistit, ka marrë menjëherë vëmendjen e publikut shqiptar, jo vetëm duke u futur në listë por duke u renditur në vendin e 29-të, një pozicion ky tepër i rëndësishëm në listë.

I kontaktuar nga “Top Awards”, Albani ka zbuluar më shumë për këtë projekt muzikor si dhe për dy projektet që do të pasojnë “Ike”.

Top Awards: Cili është kuptimi i titullit “Ike” dhe veçanërisht i (Hiraeth)?

Alban Ramosaj: “Ike” është pjesa e parë e trilogjisë “Hiraeth”. Nga fakti që në fushën kreative jam kryesisht melankolik, tregimin e kësaj historie e nisa ta shkruaja mbasi i erdhi fundi. “Hiraeth” është një fjalë e cila nuk ka përkthim të drejtëpërdrejtë, është një emocion midis nostalgjisë dhe mallit për një shtëpi që nuk mund t’i kthehesh më, një shtëpi që dhe mbase nuk ka ekzistuar kurrë. E kam futur në funksion si metaforë për historine dhe eksperiencën që kam kaluar, kam krijuar në koken time.

Top Awards: Për çfarë flet kënga?

Alban Ramosaj: Kënga është një mbështjellje ndjenjash, mendimesh e përjetimesh emocionale mbas fundit të një historie, ku pala e ekspozuar në video, në vetën e parë i shpreh të gjitha këto në një gjysmë forme vet-analizore.

Top Awards: Kush është kujdesur për muzikën dhe videoklipin?

Alban Ramosaj: Vijën melodike dhe tekstin e kam shkruar unë, për muzikën janë kujdesur Nicholas Allan, një producent, inxhinier tingulli amerikan dhe “Tull Productions” me të cilët punoj shumë shpesh. Ndërsa videoklipin e kemi punuar bashkë me regjisorin Artemis Hajdini.
Jam munduar dhe vetë të kanalizoj një vizion timin prej një pseudo-regjisori sepse nuk më rri rehat me një vend dhe dua që në çdo fushë të artit të lë dhe shenjat e mia.

Skenari-ScreenPlay ka qënë tejet i lehtë për t’u shkruar duke qënë se janë rikrijuar (kryesisht) situata që unë kam kaluar në jetën reale, sigurisht që ka dhe skena të metaforizuara e të ekzagjeruara për shkak të artit. Të gjitha skenat nën kujdesin e kompozimit fotografik të Endrit Mertirit. Për veshjen është kujdesur stilistja Ksela Lara bashkë me të bezdisshmin Alban Ramosaj (qesh).

Top Awards: Duke qënë se tekstet i përgatit vetë dhe gjithmonë janë të bazuara në histori të vërteta, po kjo është një histori e vërtetë?

Alban Ramosaj: E keni përgjigjen brenda pyetjes që më shtruat (Qesh).

Top Awards: Nëse po, ka ndonjë person të veçantë të cilit ia dedikon?

Alban Ramosaj: Sigurisht që janë të veçantë, nuk shkruaj këngë për çdo person që hyn dhe del nga jeta ime (Qesh).

Top Awards: Shumë komentues e përshkruajnë këtë tekst si më të bukurin të bërë ndonjëherë, ti si mendon?

Alban Ramosaj: Uroj që kështu të jenë edhe mendimet e personit që i kam dedikuar këngën (Qesh)! Si fillim, më vjen mirë që ky tekst i ka depërtuar kaq thellë komentuesëve. Unë mendoj se çdo tekst që kam shkruar nuk krahasohet me njëri-tjetrin sepse janë kujtime të ndryshme dhe kanë histori të ndryshme përbrenda. Por mund të them që nëse keni pëlqyer këtë lloj shkrimi e natyre të të shprehurit, keni për t’u qerasur dhe me dy këngë të tjera po kaq të bukura shumë shpejt. (Pjesën e dytë dhe të tretë të Trilogjisë).

Top Awards: Duke qënë se kjo këngë është një triologji, kur mendohet të publikohen dy të tjerat?

Alban Ramosaj: Kënga është vetëm një pjesë e triologjisë. Momentalisht jam në xhirime e sipër të pjesës së dytë (A thu Pse) dhe nuk kam një datë premtuese se kur do të përmbyllet si projekt që të them një datë por do publikohen shumë ngjitur me njëra-tjetrën.

Top Awards: Si kanë qënë reagimet e publikut për këtë projekt muzikor?

Alban Ramosaj: Më kanë kaluar pritshmëritë. Duke nisur nga reagimet e llojit “Je versioni mashkull i Lana Del Rey” (Qesh). Ndihem shumë i vlerësuar nga publiku dhe shumë i lumtur që fansat e pëlqejnë dhe sidomos që mi kënduan fjalët në koncertin e fundit që u mbajt në shesh, nuk e prisja që për pak ditë ta mësonin.

Top Awards: Çdo të thotë për ju të jeni në “The Top List” që në javën e parë të publikimit të “Ike”?

Alban Ramosaj: Siç e thashë, ka kaluar çdo pritshmerine time. Uroj që edhe dy këngët e tjera të kenë suksesin e kësaj e pse jo dhe ta kalojnë. Sigurisht që pse jo! LEXUES ME VOTONI! (Qesh)!

Top Awards: Një premtim për të gjithë fansat që të mbështesin…

Alban Ramosaj: Do të përmirësoj cilësinë e diellit në Durrës!