menu

Adriano i “rikthehet” suksesit kur ishte i “dehun”, kënga ruan vëndin e dytë


Ora: 13:08 Datë: 20/02/2019

Projekti më i fundit i Adrianos ka korrur një super sukses në tregun muzikor shqiptar dhe këtë e tregon më së miri pozicionimi i saj në klasifikimin e “The Top List”. “Nale” mban titullin kjo prurje e artistit, e cila ka 34 javë që është bërë pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se 7 muaj nga publikimi i saj, kjo këngë vazhdon të renditet në zonën e nxehtë të klasifikimit, ekzaktësisht në vendin e dytë.

Adriano, përveçse është një këngëtar i talentuar, ai njihet ndryshe edhe si producent me emrin Kreizler, i cili ka bashkëpunuar me disa emra të njohur në fushën e muzkës, përmendim këtu Era Istrefin.

Falë “Nale”, duket se Adriano i është rikthyer sërish suksesit kur bashkëpunonte me Era Istrefin, për projektin “E dehun”, në vitin 2014-të.

Nisur nga disa komente në rrjetet sociale, shumica e komentuesve kanë dyshuar për suksesin e kësaj kënge, me pretendimin se publiku shqiptar, nuk është gati për këtë stil muzikor, i cili është një miksim i muzikës Afro-pop me RnB por për një muzikë më të thjeshtë por fansat kanë vërtetuar të kundërtën e këtyre pretendimeve, duke e çuar Adrianon pranë kreut të “The Top List”.

I kontaktuar nga “Top Awards”, lidhur me këtë sukses të këngës, Adriano është përgjigjur: ” Të them të drejtën nuk është se e kam pritur këtë sukses nga “Nale”, sidomos kur kanë kaluar pothuajse 7 muaj nga publikimi. Realisht jam shumë i lumtur dhe i frymëzuar nga ky sukses”.

Sa i përket projekteve të reja, Adriano është shprehur: “Në fakt janë shumë projekte duke u punuar momentalisht por një nga ato që do ta veçoja, të cilën mendoj se mund të jetë i radhës, është “Mama”, e cila mund të jetë “solo” ose bashkëpunim”.

Adriano mbyll intervistën e tij duke u thënë se ndihet shumë krenar që ndodhet në listën zyrtare të “Top Awards”.