Ju kujtohen kohët ku rryma rock mbizotëronte shumë në muzikën shqiptare? Ishin këngëtarë me emër si Aleksandër Gjoka, Elton Deda, Gentian Demaliaj apo Redon Makashi që dëgjoheshin plot kërshëri teksa sillnin një frymë ndryshe dhe shumë moderne që pëlqehej gjithnjë e më shumë.

Në festivalin e vitit 1991 u prezantuan të paktën 20 grupe të reja, të gjitha të ndikuara nga rrymat hard-rock, heavy-metal e te tjera nënzhanre të rock-ut. Grupi “Shock”, grupi “Djemtë e detit”, grupi “Albatros”, “ARB”, grupi “Akullthyesit” dhe personazhe të njohura të kohës si Bledar Sejko, Alban Emiri, Ilir Ibrahimi apo Gjergj Jorgaqi, u shndërruan në heronjtë e rinj të një brezi që ishte i etur për më shumë shije perëndimore në muzikën shqiptare.

Ishin kohët ku kjo rrymë muzikore erdhi dalëngadalë duke u rritur dhe duke u vlerësuar. Nëse në vitet 90-të skena ishte e zaptuar nga fenomeni rock, duke përjashtuar muzikat e tjera, sot po ndodh krejt e kundërta. Këtë mund t’a vëmë re fare mirë nëse hedhim një vështrim në listën e 100 këngëve më të mira shqiptare në “Top Awards”.

Në klasifikimin e “The Top List”, mund të shohim se sa pak është futur rryma rock si pjesë e listës. I vetmi përjashtim këtu është këngëtari Renis Gjoka, i cili vetëm pak kohë më parë bëri koncertin e tij të titulluar “Rock The Dictator” dhe nga i cili 3 prej këngëve të tij u votuan si më të preferuarat e publikut për të qenë pjesë e listës.

Aktualisht kënga e tij “Nëse nesër zgjohem prapë” renditet në vend të 76-të, dueti me Robert Aliaj Dragot, “Fenomenal” renditet në vend të 85-të dhe dueti me Eugent Bushpepa-n, “Thyej Qafën” renditet në vend të 99-të. Nga ana tjetër vihet re këngët komerciale janë ato që cilësohen si më të votuarat. Por pse ndodh kjo gjë?

Muzika komerciale është ajo që mbizotëron industrinë e muzikës jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë. Madje disa artistë të këngëve autor kanë vendosur t’i përshtaten tregut, duke prodhuar muzikë komerciale, për të cilën duhet thënë se është mjaft e bukur, për të qenë sa më pranë publikut. Kjo nuk do të thotë se njëra rrymë është më e mirë se tjetra. Përkundrazi, për sa kohë do të ketë shumëllojshmëri zhanresh dhe artistësh, aq më shumë do të ketë dhe preferenca personale që ndryshojnë nga të tjerët.