“Vajzat shqiptare janë vërtet fort seksi”, të gjithë e mbajnë mend këtë frazë të kënduar nga Mr. Elvis në “Top Fest 1”, përmes së cilës arriti të kualifikohet në natën finale.

Pas një periudhe të gjatë mungese në tregun muzikor shqiptar, Mr. Elvis një nga reperat më të njohur në vitet 2000 është rikthyer mjaft fuqishëm, duke rrëmbyer sërish vëmendjen e publikut shqiptar. Eshtë pikërisht bashkëpunimi i titulluar “Albania Vs Everybody”, ai që e riktheu këtë artist sërish në qendër të vëmendjes.

Një tjetër grup që sigurisht identifikon muzikën hip-hop në shqipëri është edhe 2die4, i formuar në vitin 1999 nga tre djemtë Bledar Papathemiu (Bledi Milioneri), Niku Malo dhe Ervini Papuciu. Edhe pse kanë kaluar thuajse 14 vite nga projekti i tyre i fundit muzikor, ky grup vazhdon të mbahet mend nga publiku shqiptar.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, “Ujqërit e vjetër” kanë zbuluar arsyet e kësaj mungese në treg dhe kanë zbuluar gjithashtu më shumë sa i përket planeve për të ardhmen.

Top Awards: Sa vite kanë kaluar nga projekti juaj më i fundit muzikor?

Mr. Elvis: Projekti im i fundit ka qënë “Freedom” dhe është publikuar rreth 7 vite më parë.

2die4: Projekti i fundit i publikuar ka qënë në mars të vitit 2005, që i bie rreth 14 vite më parë.

TA: Pse gjithë këto vite mungesë?

Mr. Elvis: Ka disa arsye pse kam munguar në muzikë. Në radhë të parë dhe më kryesorja është preokupimi familjar dhe së dyti duhen pauzat se të bëjnë mirë (buzëqesh).

2die4: Vendimi për t’u shkëputur erdhi natyrshëm, pas një periudhe 6-vjecare shumë aktive në muzikë, e ndjem të nevojshme të provonim dhe eksperienca te reja në fusha jashtë muzikës.

TA: Me cfarë jeni marrë gjatë kësaj kohe?

Mr. Elvis: Gjatë kësaj kohe, i larguar nga ky llum muzikor, jam marrë me punë normalisht, herë-herë edhe i larguar nga vendlindja.

2die4: Në këtë periudhë jemi marrë me atë cka merren të gjithë njerëzit në jetën e përditshme: duke u ndërgjegjesuar, duke e përballur me sfida të ndryshme, duke ndërtuar gjithësecili në mënyra të ndryshme jetën e vetë.

TA: Çfare ju shtyu të riktheheshit sërish në muzikë?

Mr. Elvis: Rastësia me një mik timin në kafe. I dhashë një ide për një ide për bashkim të shkollës së vjetër dhe kështu u bë, u mblodhem dhe realizuam këngën “Albania Vs Everybody”.

2die4: Pasioni për muzikën! Pasion i cili as nuk u harrua as nuk u pakësua me kalimin e viteve. Mos të harrojmë që hip-hop është mënyrë jetese dhe ne e kemi jetuar të atillë.

TA: Do vazhdoni të jeni aktiv? Cila janë planet tuaja?

Mr. Elvis: Do vazhdoj të jem aktiv dhe kemi shumë projekte me cunat. Sa i përket planeve të së ardhmes, unë nuk bëj kurrë plane, ia lë momentit. Ajo cfarë dua t’ju siguroj është fakti se kemi shumë për të dhënë dhe shpresojmë që të kemi përkrahjen e duhur nga ana e medias.

2die4: Padyshim që do jemi aktiv. Në bashkepunim me Tony Toy Dj dhe producentë të tjerë kemi përgatitur albumin e katërt. Ndërkohë edhe pse nuk kemi qënë fizikisht përgjatë këtyre viteve, këngët tona kanë qënë përherë prezente.