Dhurata Dora dhe Flori Mumajesi kanë bashkuar fuqitë për të sjellë një “dhuratë” për festën e të dashuruarve, Shën Valentinit.

E titulluar “Trendafil”, në fakt kjo këngë duket se ka paralajmëruar të gjithë djemtë t’ju blejnë një trëndafilë partnereve të tyre me rastin e kësaj feste.

Kjo këngë, e cila është pritur mjaft mirë nga publiku, e ka sjellë Dhuratën paksa ndryshe sa i përket zhanrit muzikor. Ndërkohë që jemi mësuar ta shohim thuajse gjithmonë tek “RnB”, në këtë projekt muzikor bukuroshja ka ardhur nën ritmet e muzikës latine ndërsa Flori ka eksperimentuar edhe më parë me këtë rrymë.

Edhe pse me një projekt të ri, Dhurata vazhdon ende të rezultojë tepër e suksesshme me projektet e mëparëshme muzikore.

“Kesh Kesh” është kënga që është renditur më mirë gjatë kësaj jave, ku falë mbështetjes së fansave, ajo ka zënë vendin e 4-t. Ndërsa dy projeket e tjera, “Bubble” dhe “Simpatia”, pozicionohen përkatësisht në vendin e 21-të dhe 30-të.

Por a do të mundet projekti i ri i Dhuratës, të jetë pjesë e “The Top List”? Fansat garantojnë që po. Në një sondazh të bërë në faqen zyrtare të Instagramit të “Top Awards”, ku publikut i është drejtuar kjo pyetje, 81% janë përgjigjur që duhet të jetë por duket se ka edhe nga ata që nuk mendojnë kështu, duke votuar kundra. Gjithësesi kjo mbetet për t’u parë në klasifikimin e ditës së dielë të “The Top List”.